top of page

Paqja tek Njerëzorja

Përshëndetje quhem Jona Cenameri dhe kam lindur në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, në 2001-shin, vetëm 14 ditë pasi bota u njoh me terrorizmin.

Lindur në një vend dhe kohë pa luftë pra "kohë paqeje" nuk di të them se ç'është lufta, apo konflikti i armatosur brenda një shteti (si ai i vitit 97' në Shqipëri), por di të them se paçka se kanë kaluar shumë vite nga luftrat gjakatare dhe konfliktet në ballkan dhe botë, tensioni dhe mungesa e paqes ndihet ende.

Jam një qytetare e Shqipërisë, e Ballkanit, e Europës, e Botës, e Sistemit Diellor, e Galaktikës Rruga e Qumështit, e kush e di Ç'Universesh a Njësish më të mëdha, që do të zbulohen në të ardhmen.

Paqja nuk mbizotëron në botën e sotme të 2019-tës sepse ka luftë në lindjen e mesme, sulme terroriste, organizata si Isis-i, vende të mbyllura komuniste, shtete që se njohin pamvarësinë e shteteve të tjera, shtete që mbajnë akoma ligjin e luftës, shtete që duan të aneksojnë të tjera dhe lider tiranë që kërkojnë ta mbajnë pushtetin përjetësisht. Të paktën kjo është situata në planin politik.

Po në planin vetjak ç'ndodh a kanë njerëzit e shekullit të internetit dhe "celularëve të zgjuar" (smartphones) paqe shpirtërore?!

Unë personalisht them se jo, duke marrë parasysh faktin se njerëzit janë gjithmonë e më të stresuar dhe të pakënaqur në këtë mekanizëm mediash sociale, ku gjithçka është fallco. Njerëzit ushqehen çdo ditë me idenë se perfeksioni ekziston dhe çdokush veç tyre e gëzon atë, kjo gjë i bën të mos kenë paqe me veten dhe mos ta pranojnë veten e tyre. Problemi është se kur dikush s'gjen dot paqe me veten e tij, është thuajse e pamundur që këtë paqe ta ketë me të tjerët.

Ndaj bota lundron në një kaos mendimesh dhe ndjesish të njerëzve komplet të ndryshëm, por që në thelb kanë të njëjtën bërthamë të hidhur dhe të lodhur nga kjo botë marrëzish dhe shtirjesh. Ku vallë prehet paqja? Përpiqemi ta kemi me veten, përpiqemi ta kemi me të tjetër, përpiqemi ta kemi me botën, por e gjejmë vetëm kur realisht "prehemi në paqe" dhe atëherë është shumë vonë për ta quajtur atë fund humbësish "fitore".

A do të mundnit ju ta gjenit paqen dhe ta zotëronit atë, apo kjo e fundit s'ka ekzistuar kurrë realisht?! Ndoshta është thjesht një mit a një përrallë që dikur na e kanë treguar dhe në gjurmët e saj ne kalojmë jetën duhe iu afruar pambarimisht dhe duke mos e prekur kurrë si të ishte një asimptodë matematikore. Makutëria e humanit nuk ngopet kurrë ndaj për mua s'ka paqe, ne thjesht priremi dhe duam të besojmë se ka për t'u ndier më të sigurt në pasigurinë mbytëse të njerëzorit.

Prandaj përdorim copa letrash të quajtura "Traktate Paqeje" për të mbyllur luftra dhe përplasje, sikur këto të kishin ndonjë forcë mbinatyrore për të ndaluar "mos-paqen", dhe katastrofa të shpallej realisht e pamundur a e mohuar përjetë. Pra paqja i thënçin ekziston vetëm si ligj, por edhe ky i fundit është po aq i përkulshëm sa një fije ari, sepse një qenie njërëzore e pasforcuar nuk do të pyeste fare për ekzistencën e njëfarë paqeje.

Paqja është një koncept hyjnor dhe abstrakt që pamvarësit se pretendojmë ta kemi ftuar në "sofër", nuk i kemi çuar asnjëherë një ftesë zyrtare, apo hapur kurrë vend dhe ajo ka vite që s'gjen dot vend të ulet mes nesh si një mysafire e paftuar... ...mbase një figurë kaq perfekte sa ajo "bën xing" me egoizmin tonë dhe është më bukur ta ndjekin pas si një legjendë e vjetër derisa sa ta kapim atë bashkë me fundin tonë...

...U Prefsh Në Paqe O Human... ●se ndoshta vetëm atëherë arrin ta prekësh paqen●

bottom of page