top of page

Konkursi LIVING WITH GENDER EQUALITY: Alban Tufa

MAMASË

"MAMASË"

Të mbaj mend me lugën në dorë duke trazuar gjellën veshur me një palë tuta të babait, me një legen ngjyrë blu të thyer anash, me një dorë në brumë ku shpesh të binte unaza; njëherë kur doli tek copa ime e bukës ta dhash si dhuratë për 8 mars, siç të mbaj mend me shatin në krah e dorën në brez (ndoshta prej dhimbjesh) sikur më dëshmoje: unë ia dal, ja, ndër dhëmbë po përtyp vetminë ja, edhe tënd at, edhe Greqinë. Të mbaj mend me dy bidona uthulle në duar që i mbushje me ujë në kroin e fshatit. Të vija pas për ndihmë dhe të bëhesha pengesë. Të mbaj mend tek bëje edhe punë burrash që të rrisje burra. Ta mbaj mend madje edhe lëkurën e bardhë që u zhbë befas si sekuencë filmike. U bëre burrë për shtëpinë, baba për ne dhe grua për burrin. Tash rolet më ngatërrohen dhe poezia ma humbet fillin. Po e lë këtë strofë. "Do shkosh tek burri" është fraza që tash ia beh prej teje sikur po flet për xhelatin. Burrit dhe jetës së burrit ia jep trajta të rënda nga frikë mos gjërat bëhen ciklike. E di, do që jot bijë mbetet një vajzë asesi një nuse; as e ve, as e martuar, as e divorcuar. Të mbaj mend tek motrave iu thoje nën dhëmbë "mos e paçi fatin tim", e atëherë shashtisja tek rrokja veç dështime kuptimesh. Tani them vetë: mos e paçin fatin tënd.

bottom of page