top of page

ACT on Hate



ACT on Hate është një projekt inovator i zbatuar nga Qendra Act for Society në kuadër të programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Lehtësia horizontale për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2019-2022”. Projekti konsistoi në një maratonë aktivitetesh të larmishme me pjesëmarrës të rinjtë e gjimnazeve të Tiranës që në thelb kishin të përbashkët informimin, ndërgjegjësimin dhe aktivizimin e të rinjve në lidhje me gjuhën e urrejtjes në të gjitha format e saj duke analizuar shkaqet dhe pasojat.


Një ndër aktivitetet më të bukura me të gjithë grupin e konsoliduar në lidhje me gjuhën e urrejtjes ishte trajnimi 5 ditor në qytetin e Krujës. Përgjatë këtij aktiviteti interaktiv të rinjtë u trajnuan nga ekspertë të fushës në lidhje me format e gjuhës së urrejtjes, histori të vërteta me pasoja nga më të lehtat e deri në më të rëndat, sigurinë kibernetike dhe çfarë mund të bëjë secili prej nesh, advokimin dhe hapat për të ndjekur një kauzë të caktuar si dhe raste aktuale që të rinjtë morën përsipër t’i denoncojnë në institucionet përkatëse.


Më pas trajnimet u ndoqën nga disa takime me institucionet shtetërore si Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Policia e Shtetit dhe Departamenti i Barazisë Gjinore dhe Diversitetit. Në këto takime të rinjtë u njohën me punën e çdo institucioni si dhe drejtuan pyetje që lidheshin me rastet që hasin ata në jetën e përditshme. Paralelisht me takimet u përgatit një dokumentar sensibilizues ku persona nga komunitete të ndryshme si Rom, Egjiptian dhe LGBTI rrëfenin historitë e tyre në lidhje me gjuhën e urrejtjes dhe shprehin një mesazh drejtuar komunitetit.


Në përfundim të aktiviteteve të mësipërme grupi i të rinjve udhëtoi nëpër shkolla të ndryshme të Tiranës duke shpjeguar të gjithë projektin dhe përcjellë mesazhet që ata kishin nxjerrë nga gjithë kjo eksperiencë. Gjithashtu të rinjtë organizuan një flashmob si aktivitet i fundit për t’i përcjellë ato mesazhe në një mënyrë rinore dhe me një gjuhë që të rinjtë e kuptojnë dhe u duket tërheqëse. Jemi të bindur se pas pjesëmarrjes në këtë projekt të rinjtë do të jenë faktorë ndryshimi në komunitet duke dhënë kontributin e tyre në çdo rast që përdoret gjuha e urrejtjes.

bottom of page