top of page

Konkursi LIVING WITH GENDER EQUALITY: Valbona Bezati


Unë linda në një të enjte Maji, ime më ka treguar se ishte një mesditë me diell. Më pritën në maternitetin e Pukës, pa shumë zhurmë me kujdesin dhe merakun e dy gjysheve të mija. Im atë, atë nëntë Maj rastisi të mos ishte në shtëpi, kishte shkuar në një miting me autobuza në Tiranë, bashkë më të një kope burrash, siç i cilësonte nënoja, pasi ishte prag i zgjedhjeve të 1996-s të cilat do mbaheshin pas disa ditës.

Kur u kthye në darkë dhe i thanë se ishte bërë me vajzë, im atë në fillim ishte mekur e pastaj ishte nxehur e kishte thënë ngadalë : “E paska kënaqur! Lëreni në spital, e gruaja të vijë në shtëpi!”!

Pasi i kishin rënë nervat, më në fund, me gjithë ngazëllimin e rezultatit të zgjedhjeve, ai kishte ndarë mendjen të na merrte nga materniteti, dy javë më vonë. “Merreni, të rrijë të hajë dhe ajo një copë bukë” e kishte inkurajuar babai i madh. Me këtë historinë e nëntë majit u rrita, kush e di sa e sa herë kisha dëgjuar babanë t’ja thoshte me shumë krenari vellait tim të vogël se më kishin lënë dy javë në maternitet, e me këtë gajaseshin të dy. Kurse unë çdo herë përpiqesha të gjeja cila ishte pjesa për të qeshur në këtë histori, nga e cila s’di pse ndjeja dhe turp.

Unë linda në nëntë maj si fëmija i parë në një familje me nam të mirë në qytet, po për mua nuk kishin shtënë me pushkën e gjuetisë së gjyshit, siç gëzuan dy vjet më vonë për tim vëlla. Nëna e kishte peng që nuk e kishin dëgjuar të më bënin një drekë emri.

Për sa mbaj mend, gjithmonë, e kam kam gjetur veten duke menduar pse nuk i sillja dot gëzim dhe krenari meshkujve të shtëpisë sime. Unë isha e qartë për menyren e të menduarit në familjen time, edhe pse me kohen kuptova se nuk kishte një llogjike, dukej se gjyshja, mamaja ime e jo vetem e kishin pranuar dhe mendonin se nëse bëhej ndryshe rrezikohemi nga imoraliteti, kështu e kështu u desh ta pranoja dhe unë. Kisha kuptuar se forma e të menduarit të tim eti nuk ishte asgjë vecse reflektim i sjelljes dhe mendimit të lagjes, të qytetit, të të gjithë shoqërisë. Në një shoqëri ku njerëzit shprehin mëshirë për tezen time kur i thotë se kishte tre vajza, një shoqëri ku time më e ngushëllojnë sa herë që tregonte me naivititet se vajza e saj, pra unë, jam ende e pa martuar edhe pse vetëm njëzet e një vjeç, aty ku të gjithë të urojnë “U bëfsh me një djalë” a thua se po t’ja dilësh të riprodhoje një mashkull ka vlera më të medha se te të lindësh një vajzë. Pra ishte një sistem mendimi shumë më i gjerë se familja ime, ku unë isha e qartë se edhe sikur të isha njeriu më ideal në botë, serish mbetesha vetëm një vajzë!

Mesuesja ime e nëntë vjeçares, një grua shkodrane që kish qënë e përsekutuar politke, më sillte libra, më nxiste t’i lexoja duke më thënë se mbase kështu do mund të kuptoja dhe të dija si të sillesha me meshkujt e tjerë që jeta do më përballte. Edhe pse e ndjeja skepticizëm e saj për rezultatet që mund të arrinte, ajo vazhdonte të këmgulte se mund t’ja dilnim të thyenim mungesën e vëtbesimit që ishte mbjellë tek unë.

Më ishte tiposur në mendje zëri i saj i plotë kur me bindje më thoshte se “mbase s’do mundemi asnjëherë të ndryshojmë mënyrën se si na shohin të tjerët, po ka shumë rëndësi të paktën t’ja dalim të shohim veten si duhet”.

Sot jam njëzet e një vjeç, i mbusha në nëntë maj dhe mësuesen e nëntëvjecares se kam takuar më prej kohës, po ajo jeton në mua! Jeton me mua kur unë qesh me vete se e di se sa naiv tregohet babai im, kur krenohet për faktin që unë nuk flas dhe nuk them mendimin tim, pasi kështu njerëzit e përgëzojnë se ka një vajzë të urtë. Është me mua kur dua të shkund gjyshen time tetëdhjetë e një vjecare që më thotë “Mëso të gatuash të keqen nëna se nesër pasnesër do shkosh t’i shërbesh burrit”. Është me mua kur unë marr guximin t’i sqaroj tim vëllai që i kemi të dy njësoj duart funksionale për të bërë punët tona, kështu që nuk ka pse të presë nga femrat e shtëpisë që t’i shërbejnë.

Mësuesja ime e nëntë vjeçares është me mua kur unë shoh veten në pasqyrë dhe jam krenare për revolucionin tim të vogël në raport me shoqërinë, po nuk di në ka revolucion më të madh se ai i mendjes time, të rrethuar nga njëmijë shembuj negativë që zhurmojnë rreth saj.

Unë e di se sot duhet të jem krenare për veten, e jo se jam vajzë, po se e di që ska asnjë lloj rendësie se çfarë gjinie ka personi që kam përballë, po ka rëndësi çfarë thotë, mendon, ëndërron e si vepron!

bottom of page