top of page

Konkursi LIVING WITH GENDER EQUALITY: Oriada Dajko


Barazia gjinore mund të duket si një temë klishe,si një çështje tashmë e ezauruar dhe ndoshta shumëkush mund të pyesë nëse ende ka diçka për të diskutuar rreth saj, në shekullin e XXI? E vërtetë,mund të jetë një çështje shumë e diskutuar,por interesimi për të,ndërgjesimi për të ka qenë i përciptë nga të dyja palët. Në këtë gjendje,mund të duket sikur jemi ende në periudhën e manifesteve të para për të drejtat e njeriut sepse pavarësisht zhvillimeve të mëdha teknologjike,njerëzit po t'i zhveshësh nga dukja,në thelb mbeten po të njejtët. Edhe stereotipet mbeten po të njejtat.

Fillimisht,përgjatë këtij shkrimi duhen sqaruar disa koncepte. Duhet ditur se çfare është gjinia.

Ndryshe nga seksi që është një ndarje biologjike,natyrore, gjinia është një ndarje e bazuar në qasjen,sjelljen,rolin që pret shoqëria nga individi.Gjinia është e mësuar nga vetë njerëzit por edhe që mund të ndryshojë. Stereotipet fiksojnë modelin e të qenurit burrё dhe modelin e tё qenurit grua,ndarjen e roleve dhe kontributin social.

Ndarja e roleve, e sferave të veprimit nis qysh femijë, si pasojë edhe kufizimi i mendimit, i lirisë,i mundësive nis me fëmijërinë.Ky kufizim ngjason me kufizimet i ri ose jo, i bardhë ose jo, që shërbejnë vetëm për të asimiluar para kohe potencialet e tyre. Ne si individë nuk krijohemi në vakum,vetëbesimi dhe vetëvlerësimi që kemi për veten është efekt i influencës sociale. Edhe marrëdhënia jonë me Tjetrin është pasojë e mjedisit përreth.Edhe deri me sot, marrëdhënia burrë-grua ose statusi midis dy gjinive ka qenë i ngjashëm me marrëdhënien at-bir, skllav-pronar.Gratë kanë mësuar të kenë frikë nga liria,nga vendimmarrja,nga vetmia. Gruaja mëson vetëm të respektojë të tjerët,por sa mund të respektosh të tjerët,kur nuk njeh dhe nuk respekton veten?!

Kur mund tё arrihet barazia gjinore?

Barazia gjinore arrihet kur të dyja gjinitë gëzojnë të njejtat të drejta dhe mundësi në të gjithë sektorët e shoqёrisё.Atëherë kur nevojat e grave dhe burrave vlerësohen njësoj. Barazia gjinore,rëndomtë pretendohet se lidhet me ndryshimin e rolit të gruas në shoqëri.

Por, ndryshimet në rolin e gruas në shoqëri,kërkojnë ndryshime edhe në rolin e burrit.Ndoshta një ditë,në të ardhmen nuk do flasim për ndarjen e sferës së gjinisë femërore dhe asaj të gjinisë mashkullore.

Përse barazia gjinore është në dobi edhe të gjinisë mashkullore?

Duket sikur barazia gjinore është një kauzë që i përket dhe i drejtohet vetëm gjinisë femërore,por në fakt barazia gjinore nuk është një kauzë në përfitim të gjinisë femërore,as në përfitim të asaj mashkullore,por në përfitim të shoqërisë,të njerëzimit.Njerëzimi është më i rëndësishëm se ndarjet gjinore. Kjo kauzë është në favor të zhvillimit të shoqërisë,rrjedhimisht edhe zhvillimit individual,që vjen si rezultat i asimilimit të hierarkisë, heqjes së barrierave në shoqëri dhe njohjes me Tjetrin.Barazia gjinore,mund të shihet edhe si një dialektikë e shpirtit, jo më si një dialektikë mes mjeshtrit dhe dishepullit,por si një argumentim,si një arsyetim mes dy qenieve të barabarta, dy qenieve në kërkim të së vërtetës.

bottom of page