Konkursi LIVING WITH GENDER EQUALITY: Odri Lako
I dashur lexues,
Do doja të ndaja diçka me ty. Ti nuk më njeh dhe ndoshta as nuk është në interesat e tua ky shqetësim i imi, por ka kohë që dua të shprehem. Nuk mendoj se e dëgjon shpesh këtë ç’ka do të të them, por dua të flas pak për barazinë midis djemve dhe vajzave. E di, jo të gjithë kanë kohën, kurajon apo dhe dëshirën për të folur për këtë, por dita ditës reflektoj pak dhe e kuptoj më thellë.
“Barazia gjinore” ndoshta është fjala më e përdorur në ditët e sotme. Ndoshta sepse shumë të rinj ndihen më pranë shoqërisë së avancuar duke e përdorur këtë fjalë më shpesh. Ndoshta edhe sepse vetë shoqëria mund të duket sikur ushtron presion për të rinjtë për të qenë më të ndërgjegjshëm ose ndoshta thjesht kjo shoqëri mundohet të bëjë atë që nuk u bë dot që në fillim të saj.
Jam e bindur që nëse do të pyes dikë tani se ç’do të thotë “barazi gjinore” do të më përgjigjet me një frazë të rëndomtë të tipit “ Thjesht meshkujt dhe femrat të jenë të barabartë”. Tingëllon e saktë, por nuk është aspak e plotë.
Të kesh barazi gjinore është më shumë se kaq dhe të jetosh me barazinë gjinore është akoma dhe më shumë. Të jesh i barabartë nuk do të thotë vetëm të vihet figura e mashkullit dhe e femrës në të njëjtin nivel, por të mendohet dhe të njihet si e tillë. Ne njohim konceptin, por nuk njohim ekzistencën e saj.
Si ka mundesi që nese pyes një bashkëmoshataren time se ç’do të thotë barazi gjinore ajo është më e qartë dhe e sigurt se sa një bashkëmoshatar i imi? Nuk mendoj më se është shoqëria patriarkale që nuk i lejon meshkujt ta njohin konceptin e barazisë. Qytetërimi ynë e ka hedhur poshtë këtë, por është vetë edukata që marrin meshkujt e rinj dhe që e transmetojnë më pas dhe te bijtë e tyre.
Lexues i dashur, unë nuk jam shkencëtare dhe as nuk nxjerr statistiks, por fakti qëndron që në shtetin tim , në mes të kryeqytetit ekziston akoma mentaliteti i vjetër, ku mashkulli shihet si e vetmja figurë potente, që mund të mbajë çdo gjë, ndërkohë që femrat nënvlerësohen për aftësitë që kanë. Diçka që më jep shpresë është që këta njerëz sa vijnë dhe pakësohen. Me kalimin e kohës shoqëria ndryshon, kthjellohet dhe figurat njerëzore shkojnë në ekuiliber dhe në nivelin e duhur.
Barazia gjinore nuk ka arritur akoma aty ku duhet. Shihen akoma femra të nëpërkëmbura dhe meshkuj që i nëpërkembin ato. Per sa kohë të jetojë mendimi se femra është në një post më të ulët dhe mashkulli me një kapacitet më të madh se femra, atëhere s’mund të pretendoj për barazi gjinore. Për sa kohë të mos vritet ideja se një femer nuk mund të dalë e vetme, të shihet si prone, si preh dhe si një objekt, nuk ka për të celur jeta në barazi.
Ama besoj se kjo jetë ka për t’u shfaqur. Meshkujt edukohen, femrat rriten. Të gjithë bëhemi burra. Mund të lind pyetja pse pikërisht “burra”? Mendoj se nuk bëhet fjalë për gjininë, por bëhet fjalë për forcën. Se si rritemi, se si zhvillohemi, se si ne formojmë karakterin potent, qofshim djem apo vajza. Asnjëra gjini nuk po mësohet të jetë inferiore dhe as superiore. Secila po mësohet të jetojë në harmoni me njëra tjetrën.
Ndoshta pas një shekulli, kur lëvizjet e barazisë gjinore të lexohen nëpër libra, do të duket cmenduri se ka ekzistuar vërtet ky problem. Ndoshta do të jetë akoma dhe më herët se një shekull që gjithçka të ndryshojë. Ndoshta do të jemi ne, pikërisht unë që shkruaj, ajo që do të bëjë ndryshimin, sado i vogël të jetë ai.
Shpresoj ta kesh kuptuar atë çfarë kam dashur të them. Nuk të premtoj se do të ndodhë si me magji dhe as nuk të kërkoj të më përgjigjesh. Thjesht dua ta kuptosh , pasi kjo është e vetmja gjë që kërkohet nga të gjithë.