top of page

Konkursi LIVING WITH GENDER EQUALITY: Igli Myftarlli


"HAPAT E MËDHENJ NISIN NGA ATA TË VEGJËL"

Është viti 2018, shekulli 21. Është shekulli ku parashikohet se njerëzimi do të bëjë hapa të mëdhenj e me shumë siguri do të arrijë ëndrra të cilat ka mijëra vite që i sheh si udhëtimi në hapësirë për të zbuluar botë të reja, zgjatja e jetës së njeriut duke mundur ligjet e natyrës, makineri të ndërtuara në një formë që paraardhësit tanë të afërt nuk mund as ti ëndërronin e shumë e shumë të tjera.

Është viti 2018, shekulli 21 dhe ne po ëndërrojmë të tejkalojmë veten e të bëhemi zota mbi toke me hapat që po hedhim. Por... a janë këto hapa vërtet të rëndësishëm kur është viti 2018 dhe ne ende nuk kemi barazi gjinore?

Ndoshta u futa shumë shpejt në të ardhmen që ne të gjithë dëshirojmë për shoqërinë ku po rritemi. Ndoshta më parë duhet të shohim pak historinë dhe ato që kanë ndodhur ndër shekuj për këtë teme kaq të nxehtë në shekullin e fundit dhe që vazhdon ende sot.

Koncepti i barazisë gjinore është një fenomen relativisht i ri. Deri në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë, gratë trajtoheshin si inferiore dhe ishin të përjashtuara nga jeta publike e sidomos nga fusha të tilla që kishin të bënin me politiken, arsimin dhe shumë fusha profesionale.

Historia e lëvizjes për barazinë gjinore është një histori intelektuale, politike, sociale dhe ekonomike e marrëdhënies në ndryshim midis burrave dhe grave e cila shpesh është e përfaqësuar në mënyrë të shtrembëruar si lëvizje "feministe".

Qe në kohët e lashta, në Greqinë helenike, gratë shiheshin si të dobëta dhe vetëm për të kryer një funksion, riprodhimin. Me lindjen e feve të reja kjo diferencë u thellua akoma më tepër. Në Krishterim Gruaja shihej si mëkatarja, ajo që lindi si inferiore sepse u krijua nga brinja e Adamit dhe që kreu mëkatin më të madh të njerëzimit.

Në shekujt që pasuan, gruaja, gjithmonë mori format më të dobëta në sy të shoqërisë. Ato shiheshin si të papërsosura, të dobëta fizikisht, nuk kishin vetëpërmbajte dhe intelekt për tu përfshirë në jetën politike apo fusha të tjera të cilat ishin njësuar gjithmonë me burrat.

Edhe pse kjo pamje historike është e zymte, historia ka njohur shumë njerëz të cilët besonin ndryshe dhe i kane kushtuar jetën këtyre besimeve.

Kristina de Pisan (1430) ishte një shkrimtare e cila u lind në oborrin mbretëror francez. Ajo shpesh quhet dhe si "gruaja e parë proto-moderne" për shkak të shkrimeve dhe qëndrimeve të saj. Ajo dha kontributin e saj me anë të veprave te saj si “Libri i Qyteteve të Zonjave”. Për Kristinën, pabarazia gjinore nuk ishte për shkak të dallimeve të lindura mes burrave dhe grave. Në vend të kësaj, ajo e njohu rolin e arsimit dhe të mundësive si shkaktarin kryesor: "Po të ishte zakon të dërgonim vajzat e vogla në shkollë dhe t'u mësonim të gjitha llojet e subjekteve të ndryshme atje, siç ndodh me djemtë e vegjël, ato do të kuptonin dhe mësonin vështirësitë e të gjitha arteve dhe shkencave po aq lehtë sa djemtë". Ajo kishte një qëndrim të ashpër ndaj traditës së misogjinisë që mbështetej në diskutimet letrare, fetare apo dhe filozofike. Ajo hodhi bazat për ‘taban’ të ri të letërsisë dhe historisë në të cilën gratë janë po aq të rëndësishme sa dhe burrat.

Virxhinia Woolf (1941) ishte një nga ato gratë që mendonin se roli i grave në letërsi ishte shumë i vogël dhe se raftet e librave ishin të mbushura nga librat e shkruar nga burra të cilët jepnin një pasqyrë të shëmtuar të grave.

Eleanor Roosevelt ishte një tjetër shembull e cila ende sot frymëzon shumë gra dhe burra anembanë botës. Zonja e parë nuk ishte vetëm një figurë mbështetëse për burrin e saj president. Ajo ishte një aktiviste e cila hodhi bazat e para për Deklaratën e Të Drejtave të Njeriut. Një revolucion për kohën dhe një domosdoshmëri që në shohim ende sot.

Emra të tjerë të rëndësishëm si Alice Paul, Maud Wood Park, Mary McLeod Bethune, Rose Schneiderman, Sojourner Truth, Ida B. Wells, Dorothy Height, Patsy Mink, Dolores Huerta, Wilma Mankiller, Molly Dewson, Margaret Sanger e të tjera, janë figura të cilat kanë dhënë një ndihmesë të veçantë në të drejtat e grave si dhe në vendin që ato duhet të kenë në shoqërinë tonë.

Por a janë vetëm gratë të cilat kanë luftuar për këto të drejta? Sigurisht që jo.

Shumë figura mashkullore, ndër shekuj, mendonin se barazia gjinore ishte diçka që duhej me patjetër të ishte. Qeniet njerëzore janë të barabarta dhe nuk duhet të diferencohen për asnjë arsye dhe këtë e mendonin Frederick Douglass, John Stuart Mill e deri tek aktivistët e sotëm.

Gruaja është e barabartë para ligjit, ashtu siç është dhe burri. Nisur nga kjo lind një pyetje e cila nuk ka pasur kurrë përgjigje shekullin e kaluar ku dhe kanë lulëzuar shumë të drejta dhe ligje për të rregulluar të drejtat në shoqëri; pse ende ka pabarazi gjinore?

Ky shekull ka nisur me lëvizje të mëdha për të sheshuar këto pabarazi. Aktivistë të ndryshëm, nga të dyja gjinitë, po punojnë në fusha të ndryshme për të ndryshuar perceptimin e grave ne shoqëri. Ende ka shume pune. Ende ka pabarazi në arsimin e tyre, në politike, në filozofi, në shkenca e në shumë fusha të tjera. Ende shoqëria ka nevoje që të ushqehet me faktin natyror se çdo qenie njerëzorë është e barabarte me çdo qenie njerëzorë tjetër pavarësisht ngjyrës lëkurës, prejardhjes, orientimit seksual dhe sidomos pavarësisht gjinisë.

Ende ka pune të mëdha para se ne të pushtojmë hapësirën, para se të kalojmë dhe vetë natyrën duke zgjatur jetën, para se të bëhemi zota në toke e jo vetëm.

bottom of page