Archive

Please reload

Tags

Please reload

Konkursi LIVING WITH GENDER EQUALITY: Eleni Nanaj

May 11, 2018

 

Unë jam Eleni, jam një vajzë njëzetë e dy vjeçare, një punonjëse sociale, unë jam unike, jam motra e vogël, vajza e vogël, më quajnë “e vogla”, “e përkëdhelura”, jam shumë gjëra, jam shoqja e dikujt, partnerja e dikujt, jam një e njohur e dikujt tjetër… unë jam të gjitha këto; por a jam me të vërtetë të gjitha këto?! Ndoshta… thjesht ndoshta… unë jam një vajzë më tepër! Ndoshta jam një tjetër vajzë njëzetë e dy vjeçare që ka studiuar për punë sociale, jam një motër më tepër për motrat e mia, një shoqe më tepër, një më tepër për partnerin tim, por për prindërit e mi nuk jam një vajzë më tepër… apo mos vallë jam…?

            Çfarë është më mirë, të pyesësh veten dhe të mos marrësh kurrë përgjigjie apo të pyesësh dhe të mësosh të vërtetën? Unë pyeta dhe tani e di të vërtetën. Për prindërit e mi unë nuk jam një vajzë më tepër, por dikur kam qenë. A u lëndova? – pak. A u çudita? – aspak. Në një familje tradicionale shqiptare me dy vajza, një e tretë është e tepërt dhe unë isha e treta, e tepërta, ajo që i zuri vendin djalit.

            Në fakt, për time më nuk kam qenë kurrë e tepërt, ajo gjithmonë më ka dashur dhe ka arritur të më mbrojë edhe me anë të gënjeshtrës. Ajo dhe doktori i saj thanë se seksi i fëmijës nuk dallohej nga frika se të afërmit e tim eti – jo ai vetë – e detyronin që të hiqte dorë prej meje. Madje ata kishin gjetur edhe një emër për djalin e shumëpritur! Im atë, nga ana tjetër, e donte shumë një djalë, një “trim” të vogël që ta mbante me vete, që të krijonte një lidhje ndryshe nga ajo që mund të krijojë me një vajzë. Ishte im atë ai që derdhi lot zhgënjimi kur morri vesh se isha vajzë por ishte po ai që më pa, më morri në duart e tij dhe në atë moment më vendosi një emër të cilin unë e adhuroj… Ai nuk na sheh si vajza, ai na sheh si fëmijë, si fëmijët e tij për të cilët do të bënte gjithçka…

            Duke menduar, duke shkruar, kujton dhe kupton. Unë tani kuptoj se për kë jam një vajzë më tepër, për dikë i cili më ka parë drejt e në sy dhe thjesht e ka thënë. Kujtoj një fjali që e kam dëgjuar para dy vjetësh nga nëna e tim eti: “nëna nuk të donte kur linde, por tani të dua shumë”… kjo fjali më lë pa fjalë. Si mund të mos duash një foshnje të porsalindur?! Ajo ishte e verbuar nga dëshira për të pasur një nip nga djali i saj i madh por gjithsesi kjo nuk e justifikon. Por ky është edhe realiteti shqiptar, në të cilin vajzat shihen si barrë e familjes, një anëtar që duhet të “hiqet qafe” me martesë, në mos me ndërprerje shtatzanie. Ndësa djemtë shihen si bekim, si forca e familjes dhe e fisit, por mbi të gjitha si trashëgimtar i pasurisë materiale, por edhe i mbiemrit të familjes, sikur të ketë ndonjë mbiemër kushedi çdo familje!

            E rëndësishme nuk është mënyra se si të shohin të tjerët apo se çfarë je për të të tjerët, e rëndësishme është mënyra se si e sheh veten dhe se çfarë je ti për veten tënde. Unë e shoh veten si një vajzë unike. Çfarë më bën mua unike? – nga këndvështimi im, gjithçka! Unë tani e njoh vehten më mire se çdo herë tjetër. Unë e di si jam, kush jam, çfarë dua, çfarë dëshiroj, çfarë do të bëj, por mbi të gjitha unë e di se çfarë nuk jam dhe çfarë jam: Unë nuk jam një vajzë më tepër! Unë jam “ajo vajza”…

Please reload

Recent Posts

September 21, 2019

Please reload

©2019 by Center ACT for SOCIETY. 

Rruga "Blv. Zhanë D'ark" Nd.61, H.5, Ap.24