top of page

Konkursi LIVING WITH GENDER EQUALITY: Denada Dosti


"Living Gender Equality/Të jetosh barazinë gjinore."

Të jetosh barazinë gjinore do të thotë që kjo lloj barazie të jetë prezente në jetët tona dhe të riformësojë realitetin tonë. Ne pretendojmë se në Shqipëri, si një vend demokratik, ekziston barazia gjinore, por sa ndikon kjo lloj barazie në jetët tona dhe cili është impakti që lë në shoqërinë tonë? Përshembull: ne kemi politikanë meshkuj edhe politikane femra dhe në më të mirin e rasteve mund të kemi dhe barazi edhe në numër, por çfarë mund të themi për zërin e tyre? A dëgjohen zërat e politikanëve meshkuj më shumë se sa të femrave? A ka barazi në këtë rast? A u dëgjohet zëri të dyja palëve në mënyrë të barabartë kur bëhet fjalë për vendimarrje apo politikbërje? Po përsa i përket përfaqësimit të meshkujve dhe femrave në media në media? A janë të përfaqësuara në mënyrë të barabartë të dyja gjinitë? Dhe nëse po a kanë një rol të barabartë? Oh jo, në fakt femrat “nuk marrin shumë vesh nga politika” dhe si rrjedhojë prezantuese emisionesh për politikë kemi shumë më pak, në fakt numërohen me gishta- nja dy a tre. çuditërisht nuk ndodh e njëjta gjë përsa i përket emisioneve sportive: femrat janë mjaftueshëm prezente falë ...si me thënë … trupit të tyre perfekt, mundësisht përfaqësuese të asaj kategorie të preferuar nga audienca dhe që ndryshe njihet me trupëzimin/bodyfication kur trupi i një femre shihet vetëm si objekt-mundësiht zbukurues. Dhe meqenëse jemi tek kjo temë e keni vënë re që në shumicën e reklamave në media të ndryshme deri tek billbordat nëpër rrugë imazh kryesore dhe reklamues të produktit janë përsëri femrat ose me saktë trupi i tyre?

Sa lider meshkuj dhe sa femra kemi nëpër kompani dhe nisma të ndryshe? Sa drejtorë dhe drejtoresha kemi nëpër institucione të ndryshme? S’di pse titulli drejtoreshë më çon ndërmend vetëm e vetëm një pozicion të caktuar: atë të drejtueses së një shkolle. Sa sipërmarrës femra dhe sa meshkuj kemi në ditët e sotme?

A ka ende familje shqiptare të cilat luten për femijë djema dhe ngrysen me lindjen e femrave? Po ka sa duash. Po, pikërsisht edhe në ditët e sotme!

Këto dhe shumë pyetje të tjera duhet të na shqetësojnë dhe t’i adresojmë atyre që merren me politikbërje, me përpilime strategjishe dhe me lobime të drejtash. Sepse është e drejta e një femre të jetë e barabartë me meshkujt e tjerë në një shoqëri demokratike si e jona.

Forumi Ekonomik Botëror (ëorld Economic Forum (ëEF)) në bazë të raportit vjetor mbi Hendeku Ndërgjinor (Gender Gap) ka projekuar një aplikacion i cili të mundëson të kuptosh në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare se sa të barabartë jemi. Mjafton të fusësh emrin e vendit dhe rezultatet të shpien në disa fusha të ndryshme ku mund të matet Barazia Gjinore. A e dinit, përshembull, se vetëm një në pesë (një përqindje prej 23 %) menaxhere, drejtuese apo lidere janë femra, kundrejt 78 përqind meshkuj? A e dinit se ndër ministra dhe deputetë vetëm 35 përqind e tyre janë femra? Mentalitet alarmant shoqëruar me shifra alarmante.

Por mjaft u ankuam, se për t’u ankuar jemi të parët ne - e kemi në kulturën tonë të përgjithshme, sikur të na ishte shkruar në gen. Le të fokusohemi tek ajo çfarë konkretisht ne kemi në dorë të bëjmë.

Dihet që hapi i parë për të bërë ndryshim, në çfarëdo lloj fushe dhe hapësire duhet së pari ta nisim nga vetja. Për këtë duhet që të iinformohemi sa më shumë mbi gjendjen e barazisë gjinore në vend dhe jashtëvendi. Duhet të informohemi sa më shumë mbi politikat të fokusuara në këtë temë dhe se si mund t’i implementojnë këto në përditshmërinë tonë duke filluar nga vetja dhe rrethi më i ngushtë. Mund të informohemi gjithashtu duke marrë pjesë në aktvitete lokale, kombëtare apo ndërkombëtare si workshop-e, seminare, trajnime konferenca etj në lidhje tema që prekin çështjen “Gender”.

Më pas duhet të kujdesemi që informacionet e përftuara t’i përçojmë në rrethin tonë të ngushtë: si në familje, shkolle, vend pune etj. Mund t’i bashkangjitemi fushatave të ndryshme të organizuara nga shoqata që lobojnë për çështjen në fjalë.

Nëse jemi prindër mund t’ja nisim që nga fëmijët tanë: edukimi në moshë të re është shumë efikas për të ç’bërë atë që shoqëria e prapambetur ka bërë me ne duke na propoganduar ide të gabuara se një fëmijë mashkull është më i mirë dhe më i dobishëm se një femër, se meshkujt mund të bëjnë çdo lloj profesioni ndërsa femrat jonë, se meshkujt janë superheronjë kurse femrat princesha që duhen shpëtuar, se meshkujt mund të lozin me lodra të caktuara apo të veshin ngjyra të caktuara kurse femrat kanë lodrat e tyre dhe ngjyrat e tyre. Këto duken detaje të parëndësishme në pamje të parë por formësojnë mentalitetin e fëmijës dhe ndikojnë në perceptimin e tyre ndaj gjinisë tjetër.

Mbi të gjitha duhet të rrisim ndërgjegjësimin, pasi dikush fillon të ndërgjegjësohet veprimi dhe ndryshimi vjen vetëvetiu!

bottom of page